ShqipEnglish (UK)

Shqipëria ka kapacitetin për të përballuar sfidat e integrimit evropian

Bruksel, 2 pril 2014 – Štefan Füle, Komisioner për Zgjerimin dhe Politikat Evropiane të Fqinjësisë, u takua sot në Bruksel me Kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Komisioneri Füle përshëndeti angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë ndaj reformave që lidhen me BE-në dhe lëvdoi masat e marra nga qeveria në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Komisioneri e nxiti gjithashtu Shqipërinë ta konsolidojë dhe intensifikojë vrullin e reformave, veçanërisht lidhur me shtetin ligjor, si dhe bëri thirrje për rezultate të qëndrueshme dhe bindëse në lidhje me informimin e Këshillit para se të marrë vendimin për dhënien e statusit të vendit kandidat. “Jam i bindur se vendi e ka kapacitetin për të përballuar me vendosmëri sfidat e integrimit evropian”, tha Komisioneri.

Komisioneri përshëndeti gjithashtu qëndrimin e qeverisë për një përqasje gjithëpërfshirëse ndaj reformave, bazuar në një dialog konstruktiv dhe në përfshirjen e opozitës për qëndrueshmërinë dhe suksesin e reformave. Statusi i vendit kandidat, pasi të jepet, do të jetë një vlerësim i punës së të gjitha palëve të përfshira. Komisioneri nënvizoi gjithashtu se të gjitha energjitë vitale të vendit, përfshirë ato të shoqërisë civile, duhen përdorur për të çuar përpara agjendën e BE-së. Në këtë kontekst, ai theksoi rëndësinë e Dialogut të Nivelit të Lartë mbi përparësitë kyçe dhe ra dakord me Kryeministrin Rama për mbajtjen e takimit tjetër në fillim të qershorit.

 

ShqipEnglish (UK)